Siguria
Përditësuar: shtator 2026
Kjo faqe shpjegon si i mbrojmë të dhënat në Veturas dhe si raportohet një problem sigurie. Zotimet kontraktuale janë në Marrëveshjen për përpunimin e të dhënave.
Ku janë të dhënat
- Baza e të dhënave, kyçja dhe skedarët: Supabase, Irlandë (Bashkimi Evropian).
- Kopjet rezervë: në serverët që i menaxhojmë vetë, Prishtinë, Kosovë.
- Aplikacioni dhe faqet: Vercel, me funksione që punojnë në Dublin, Irlandë (Bashkimi Evropian).
- Lista e plotë e ofruesve është në Shtojcën III të Marrëveshjes për përpunimin e të dhënave.
Si i mbrojmë
- HTTPS në çdo faqe, për veturas.com, panelin dhe faqen e çdo autosalloni.
- Të dhënat e çdo autosalloni ndahen në bazën e të dhënave me rregulla sigurie në nivel rreshti. Një autosallon nuk mund t'i shohë të dhënat e një tjetri, edhe nëse aplikacioni ka një gabim.
- Dokumentet e veturave ruhen në hapësirë private, jo të qasshme publikisht.
- Çdo përdorues ka llogarinë e vet. Nuk ka llogari të përbashkëta.
- Qasja për mbështetje hapet veç për një arsye të shënuar, është vetëm për lexim, skadon vetvetiu brenda 24 orëve dhe regjistrohet. Pronari i autosallonit e sheh çdo qasje në panel.
- Konsola e administrimit nuk ka regjistrim publik dhe është e kufizuar te ekipi i emëruar.
- Kopje rezervë ditore, të ruajtura 30 ditë.
- Mbledhim vetëm të dhënat që i nevojiten shërbimit. Të dhënat që nuk i mbajmë nuk mund të rrjedhin.
- Varësitë e softuerit dhe platforma mbahen të përditësuara.
- Reagimi ndaj incidenteve: vlerësim menjëherë dhe njoftim për autosallonin brenda 48 orëve.
Kush ka cilin rol
Për të dhënat e blerësve dhe klientëve, autosalloni është kontrollues dhe ne jemi përpunues. Veprojmë vetëm sipas udhëzimeve të tij dhe e ndihmojmë t'i përmbushë detyrimet e veta. Hollësitë janë në Marrëveshjen për përpunimin e të dhënave.
Raportimi i një dobësie
Nëse keni gjetur një problem sigurie, shkruani në info@veturas.com me temën "Siguria". I njëjti kontakt është publikuar në /.well-known/security.txt.
Brenda fushëveprimit
veturas.com, app.veturas.com, admin.veturas.com dhe faqet e autosalloneve në adresat veturas.com.
Jashtë fushëveprimit
- Sulmet e mohimit të shërbimit ose testimi i ngarkesës.
- Inxhinieria sociale, phishing-u ose sulmet fizike.
- Sistemet e ofruesve tanë. Ato raportojini drejtpërdrejt te ofruesi.
- Rezultatet e skanerëve të automatizuar pa ndikim të demonstruar.
- Header-ët që mungojnë ose praktikat e mira pa rrezik konkret.
Çfarë ju kërkojmë
- Mos hyni, mos ndryshoni dhe mos fshini të dhënat e të tjerëve. Nëse arrini te to rastësisht, ndaluni dhe na tregoni.
- Testoni vetëm me llogaritë tuaja ose në faqen demo.
- Na jepni kohë të arsyeshme për ta rregulluar problemin para se ta bëni publik.
- Jepni mjaftueshëm hollësi që ta riprodhojmë problemin.
Çfarë zotohemi
- E konfirmojmë raportimin tuaj brenda 2 ditëve të punës.
- Ju mbajmë të informuar së paku çdo 14 ditë derisa të rregullohet.
- Me lejen tuaj, ju përmendim si zbulues pasi të rregullohet.
- Nuk ndërmarrim veprime ligjore kundër kërkimit të bërë me mirëbesim brenda këtyre rregullave.
Aktualisht nuk kemi program me pagesë për gjetjen e gabimeve (bug bounty).
Nëse të dhënat cenohen
I njoftojmë autosallonet e prekura brenda 48 orëve nga momenti kur mësojmë, që ata ta respektojnë afatin e tyre 72-orësh ndaj autoritetit. Për të dhënat tona e njoftojmë autoritetin brenda 72 orëve dhe, kur rreziku është i lartë, personat e prekur.
Pyetje të shpeshta
A keni SOC 2 ose ISO 27001?
Jo. Jemi ekip i vogël dhe nuk pretendojmë certifikime që nuk i kemi. Ofruesit tanë të infrastrukturës kanë certifikimet e veta.
A bëni rregullisht teste depërtimi?
Jo me orar të caktuar. Raportimet sipas rregullave më sipër janë të mirëpritura.
A e nënshkruani DPA-në tonë?
Po. Jona zbatohet automatikisht me Kushtet, dhe nëse keni tuajën, do ta shqyrtojmë dhe në shumicën e rasteve do ta nënshkruajmë.
A i përdorni të dhënat tona për të trajnuar AI?
Jo. Të dhënat e autosalloneve dhe të blerësve nuk përdoren për të trajnuar modele të inteligjencës artificiale.
Kush në Veturas mund t'i shohë të dhënat tona?
Vetëm ekipi i emëruar, përmes qasjes për mbështetje që është e kufizuar në kohë, vetëm për lexim, e regjistruar dhe që ju e shihni në panel.
Çfarë ndodh me të dhënat tona nëse largohemi?
Mund t'i eksportoni në çdo kohë. Pasi mbyllet llogaria, të dhënat mbeten në dispozicion 90 ditë që t'i eksportoni, pastaj fshihen.